Këshilli i Prindërve kërkon ndërprerjen e grevës e rikthim në shkolla

Greva në arsim ende po vazhdon.

Tash e 13 ditë nxënësit vazhdojnë të mbeten jashtë bankave shkollore. SBASHK dhe Qeveria ende nuk kanë arritur të gjejnë kompromis derisa prindërit janë ata të cilët po vazhdojnë me thirrjet për të përfunduar këtë grevë.

Një marsh protestues sot është organizuar në Pejë nga Përfaqësues të Këshillit të Prindërve të cilët kërkuan marrëveshje urgjente mes Qeverisë dhe SBASHK-ut.

Me moton ” Qeveri – SBASHK” duam nxënësit në shkollë, Këshilli i Prindërve në Pejë organizoi marsh protestues me ç’rast anëtarë të këtij këshilli të shoqëruar edhe nga dhjetëra nxënës, marshuan nëpër rrugët kryesore të qytetit.

Ata kërkuan që greva e arsimtarëve të ndërpritet në mënyrë që sa më shpejt nxënësit të fillojnë mësimin.

“Është bërë një muaj i plotë që fëmijëve tonë po iu mohohet e drejta për shkollim një e drejtë që është e garantuar me kushtetutë dhe ligj, sepse tash i ka ardhur fundi durimit të prindërve. Andaj kërkojmë nga Qeveria dhe SBASHKU të ulen së bashku në mënyrë së sa më parë ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje dhe të na i kthejnë fëmijët tanë në vendin aty ku e kanë”, tha Hazir Tigani, Kryetar i Këshillit të Prindërve për regjionin e Dukagjinit.

Madje Arta Kollçaku – Gashi, kryetare e Këshillit të Prindërve në Pejë, bëri thirrje që greva të ndërpritet dhe mësimi të fillojë që nga dita e nesërme.

“Duam fëmijët në shkollë, duam që t’i kthejmë në bankat shkollore. Duam që fëmijët t’i nxjerrim nga kjo fushëbetejë në mes të dy palëve”, tha Kollçaku.

Edhe qytetarët e Pejës kërkojnë marrëveshje urgjente në mes Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut sepse siç thonë ata kjo është në interesin e të gjithëve.

Në komunën e Pejës aktualisht mësimi është duke u mbajtur vetëm në një paralele në ciklin e ulët, përkatësisht atë të klasës së parë në Shf. “Ramiz Sadiku”, mirëpo edhe përkundër përpjekjeve tona mësuesja e klasës nuk pranoi të flasë.

Ndryshe i kontaktuar përmes telefonit edhe drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega bëri thirrje tek përfaqësuesit e qeverisë dhe ata të Sindikatës së Arsimit që të gjejnë zgjidhje të menjëhershme në mënyrë që nxënësit të fillojnë mësimin sa më parë.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!