Ministrja e Gërvalla i bën thirrje BE-së që të luftojë me më shumë vendosmëri për vlerat dhe parimet e saj

Gërvalla i bën thirrje BE-së që të luftojë me më shumë vendosmëri për vlerat dhe parimet e saj.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut, ku temë kryesore ka qenë sfidat lokale dhe globale të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Gërvalla, ka theksuar qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit ushtarak, vendosmërinë për zbatimin e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në komunikatën për media, bëhet e ditur po ashtu se, ministrja e jashtme ka nënvizuar se SHBA-të janë shtyllë kryesore për paqen në Ballkanin Perëndimor, dhe se i ka bërë thirrje BE-së që të luftojë me më shumë vendosmëri për vlerat dhe parimet të cilat qëndrojnë në themelet e saj.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtyllë kryesore për paqen dhe stabilitetin edhe në Ballkanin Perëndimor. Mes tjerash ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, BE-së i bëri thirrje që me më shumë vendosmëri të luftojë për vlerat dhe parimet, të cilat qëndrojnë në themelet e saj, vlera të cilat i ndan edhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pjesëmarrëse në takimin e „Kartës së Adriatikut“

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë qëndrimit në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter’ (A5), temë kryesore e të cilit ishin sfidat lokale dhe globale të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Ministrja Gërvalla-Schwarz, theksoi qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, vendosmërinë për zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe masave të tjera të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe format e tjera të solidaritetit me popullin e Ukrainës, duke vënë në pah edhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vendeve të Ballkanit në çështjet jetike për sigurinë e rajonit.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtyllë kryesore për paqen dhe stabilitetin edhe në Ballkanin Perëndimor. Ministrja gjatë takimit vuri në pah përkushtimin, përvojën dhe ekspertizën e thellë të ShBA-ve në rajon dhe nevojën për një prani të shtuar amerikane në të gjitha sferat dhe nivelet.

Mes tjerash ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, BE-së i bëri thirrje që me më shumë vendosmëri të luftojë për vlerat dhe parimet, të cilat qëndrojnë në themelet e saj, vlera të cilat i ndan edhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ministrja kërkoi një vlerësim më të diferencuar të zhvillimeve në vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor si dhe mesazhe dhe konsekuenca të qarta për të gjithë ata që bien ndesh me përcaktimet e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ministrja Gërvalla-Schwarz, theksoi se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e „Kartës së Adriatikut”, dhe përshëndeti përkrahjen e shprehur gjatë takimit nga shumica e të pranishmëve për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

Në këtë takim të drejtuar nga Republika e Malit të Zi, krahas ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Malit të Zi, z. Ranko Krivokapić, ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani. Të pranishëm në takim ishin edhe këshilltari i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, z. Derek Chollet, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak dhe diplomatë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Sllovenisë dhe nga Serbia.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!