Greva në arsim, shqetësues mbetet realizimi i planprogramit mësimor

Greva në arsim po vazhdon.

Derisa greva ka hyrë në javën e 5-të, shqetësues mbetet realizimi i planprogramit mësimor.

Edhe pse mësimdhënësit kanë thënë se nuk do t`i zëvendësojnë orët, megjithatë e pranojnë se humbjet e tyre nga këto greva do të jenë të pariparueshme në aspektin e cilësisë. Madje, ekspertë të arsimit konsiderojnë se edhe në rast të kompensimit eventual të orëve, kjo nuk do të kishte efekt.

Greva i bëri bashkë të hënën prindërit e disa nxënësve të shkollës ‘Dardania’ të kryeqytetit, të cilët po kërkojnë që mësimi të fillojë sa më parë, duke paralajmëruar se nuk do t’i përgjigjen thirrjes për zëvendësim të orëve.

“Kanë ec ditët edhe nuk e di qysh kanë me, veç nëse shkojnë me hapa të shpejtuar mandej me i ngarkua fëmijët me mësime shumë edhe nuk ka me kon efikas ajo edh çka kanë me bo nuk ka me qenë efikase. Si prind nuk jena të pajtimit sepse fëmijët edhe ata e kanë hapësirën e tyre që duhet me pushu e me u argëtua, me i pas liritë e tyre gjatë vikendit kështu që na nuk pajtohem”, tha Bernardina Berisha Sylaj, prind.

Përveç prindërve, edhe vetë mësimdhënësit e pranojnë se dëmet nga greva dhe humbja e procesit mësimor do të jenë të pariparueshme në cilësinë arsimore.

“Zëvendësimi i orëve e kemi bërë edhe gjatë kohës së pandemisë, gjë të cilën nuk e ka bërë askush në rruzullin tokësor, do ta bënim edhe tash por nuk jemi të atij mendimi se e dimë mos-efikasitetin e mbajtjes së këtyre orëve, marrë parasysh mungesën e disponimit si nga ana jonë si nga ana e fëmijëve”, tha Shpejtim Hyseni, mësimdhënës në Prishtinë, RTK.

“Kjo nuk ka koment se e dimë që është kohë e gjatë dhe humbjet kanë me qenë, normal që kemi me u mundu ndoshta 99% edhe kemi me dhanë maksimumin për ato humbje edhe pse nuk mendoj që sa i përket plan-programeve nuk mundet me mbet diçka pa u realizua, planprogrami realizohet”, tha Atdhetare Millaku-Bilalli, mësimdhënëse.

Por, sikurse në pandemi edhe këtë vit cilësia e arritur nuk do të jetë ajo e dëshiruara, thotë Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja.

“Planprogrami disi do të arrihet po do të arrihet në mënyrë të përshpejtuar duke cunguar drejtpërdrejt cilësinë e mësimdhënies, pra edhe zëvendësimi eventual nuk është që do të kontribuoj në përmirësim ose në korrigjim të këtyre ditëve dhe javëve të humbura, përkundrazi do të jetë shumë më pak efektiv me premisën se kinse po zëvendësohet një orë e rregullt mësimore”, tha Qehaja.

Paralajmërimin e MASHT-it për zëvendësim të orëve të humbura e kanë kundërshtuar edhe sindikalistët e arsimit. Disa shkolla në nivel vendi tanimë kanë filluar vitin e ri shkollor ndonëse me disa ditë vonesë, derisa shumica vazhdojnë t’i përmbahen grevës.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!