Edhe Këshilli i Prindërve del kundër që orët e humbura gjatë grevës të kompensohen të shtunave

Këshilli i Prindërve, kundër që orët e humbura gjatë grevës të kompensohen të shtunave.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se prindërit e deklaruar për ta kanë thënë se shumica absolute janë kundër kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës në ditët e shtuna.

Sipas një njoftimi, Këshilli i Prindërve thotë se shumë prej tyre janë deklaruar me revoltë se as nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë gjatë të shtunave.

“Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve”.

“Ne besojmë se kompensimi i orëve të humbura duhet të ishte deleguar në nivel të shkollave, meqë shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës (pra punojnë me një ndërrim), dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës. Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonin Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit (sikurse ka ndodhur me Task Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë)”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Prindërve.

Më tej thuhet se prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, teksa Këshilli i Prindërve ka shtuar se ata (prindërit dhe fëmijët), s’kanë pse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar orët e humbura.

“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore. Fëmijët kanë të drejta dhe prindërit obligohemi t’i mbrojmë”, thuhet në njoftim, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se pas ndërprerjes së grevës, ishte Ministria e Arsimit ajo që ka thënë se orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!