Përshpirtëria e Nënës Tereze (25 – vjetori i vdekjes) 

Përshpirtëria e Nënës Tereze (25 – vjetori i vdekjes) 
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 14 vitë me ju!

Shkruan: Dr. Don Lush GJERGJI

TA ADMIROJMË APO TË SHKOJMË PAS JEZUSIT?  

“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!” 

                                               (Gjn 7, 46) 

Të jesh i krishterë  i mirë, domethënë ta kemi zemrën e pastër, ta shohim Zotin në çdo të afërm, të duam njëri-tjetrin shi ashtu siç na do Jezusi.” 

                                                                                    (Nëna Tereze) 

Fenomeni Jezus – dje dhe sot, është një fakt historik, fetar, kulturor, moral, universal. Vërtet, para Jezusit askush s’mund të jetë indiferent, sepse personaliteti  dhe fytyra e tij kërkojnë prej nesh një qëndrim themelor: të jesh me Të apo kundër Tij. 

Jezusi, gjatë jetës së tij tokësore ka shkaktuar te shumë njerëz ndjenjën e admirimit, veçanërisht nëpërmjet mrekullive,  po edhe si fëmijë: në Tempullin e Jerusalemit në moshën dymbëdhjetë vjeçare, në mesin e dijetarëve të Ligjit (khs. Lk 2, 41-52); kur e ngjalli bijën e Jairit (Mk 5, 21-43); të riun nga Naimi (Lk 7, 11-17); ngjallja e Lazrit (Gjn 11, 1-48); fashitja e stuhisë në det (Mt 8, 23-27); shërimi i të pikuarit (Mt 9, 1-8)… 

“Kështu u bë një përçarje në popull për shkak të tij. Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të.” (Gjn 7, 43-44) 

Krerët e priftërinjve dhe të farisenjve, ishin shumë të shqetësuar, të pasigurt, çka do të duhej të bënin me Jezusin, sepse populli e kishte pranuar mjaft mirë, shumë prej tyre e admironin dhe donin, disa ecnin pas tij. Mu për këtë, vendosën të dërgonin rojën që ta kapnin. Armiqtë e Jezusit ishin gjithnjë të frikësuar dhe në pritje si do të përfundonte veprimi i tyre. 

Dhe, ia, befasia: roja kthehet pa Jezusin! “Pse nuk e sollët?” Rojtarët përgjigjën: “Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!” (Gjn 7, 45-46) 

Kështu flasin dhe dëshmojnë rojtarët, ata që ishin të dërguar për ta kapur, që kishin mbetur të habitur, pa fjalë, disi edhe të entuziazmuar, por pa bërë ndonjë hap tjetër, më të thellë… Ata, ndaleshin vetëm në konstatim. Ishin të lumtur që e kishin takuar, dëgjuar, parë dhe njohur. Mjaft. 

Ky qëndrim, te armiqtë e Jezusit kishte shkaktuar edhe më tepër tollovi dhe pasiguri. Ata pyesin: “Po mos u mashtruat edhe ju?”(Gjn 7, 47) 

Në vend që të shqyrtonin dëshminë e rojës,  në armiqtë e Jezusit rritej urrejtja, nënçmimi, përbuzja për Jezusin dhe për rojën. “Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? Por veç, kjo vogjëli që s’e njeh Ligjin – qoftë mallkuar!”(Gjn 7, 48-49) 

Ata e mbanin vetveten si të drejtë, të parazgjedhur, duke përbuzur dhe shkelur të tjerët… Dëshmia e rojës ishte e madhe: e çmuar, e sinqertë, e ndershme, sepse kishin pasur guxim së pari ta dëgjojnë Jezusin, ta shohin, ta admirojnë, para se ta kapnin. Sipas atyre që i kishin dërguar Jezusi ishte mashtrues, turbullues, armik i Zotit dhe Popullit. 

Të pashë, të dëgjosh tjetrin, ashtu siç është, të zbulosh dhe pranosh të mirën te tjerët, edhe të “armiqtë”, që nuk janë si ne, me ne, është virtyt i rrallë. Roja bëri një dëshmi, tregoi çka ka parë, dëgjuar, përjetuar, mirëpo nuk është thelluar më tutje: kush është Jezusi? Pse ai fliste kështu? 

Roja, në një mënyrë, e paraqet botën e sotme, e cila njeh, pranon krishterimin si fenomen: si traditë, kulturë dhe qytetërim të Evropës, deri diku edhe të mbarë njerëzimit, por nuk kërkon dhe thellohet më shumë për Jezusin dhe krishterimin. 

Shumë njerëz të sotshëm, në stilin e rojës së dikurshme, kanë qëndrime të tilla: Jezusi është vërtet i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm, tejet i  mirë, miqësor, i thjeshtë, komunikativ, bujar… Këtë e pranojnë kryesisht të gjithë, besimtarë apo jo besimtarë, të krishterë apo jo të krishterë… 

“Gandi pati thënë një herë që nëse të krishterët vërtet do të ishin të tillë, India s’do të ishte induiste. Të gjithë presin prej nesh që të jetojmë në plotësi fenë tonë të krishterë.” (Nëna Tereze) 

Nëse Jezusi është aq i mirë, thjeshtë, i butë, mëshirshëm, miqësor, si do të duhej të jemi ne, nxënësit e tij, Kisha jonë, shoqëria, dymijë vjet pas Krishtit, pranisë së tij dhe të Kishës katolike ndër ne? Jezusi, nuk është vetëm mësim, doktrinë – edhe më pak – vetëm ide, ideal, kurrsesi ideologji… Ai është Fjala e Hyjit të mishëruar, realitet, Njeri, që të mund ta takojmë, duam, jetojmë, dëshmojmë. Ai është Dashuria që dhurohet dhe pret përgjigjen tonë. 

Shumëkush ndoshta e njeh mjaft mirë porosinë e Krishtit, shkruan apo flet për Të, por çka vlen kjo nëse nuk jetojmë me Të? Njerëzit janë të lodhur prej punës, jetës – lexojnë ndoshta pak dhe keq, pa ndonjë vëmendje dhe kujdes, por “lexojnë” shumë mirë jetën tonë. 

“I krishteri është Tabernakulli i Zotit të gjallë. Nëse doni ta dini sa na ka dashur Jezu Krishti, atëherë shikoni Kryqin e tij. Nëse doni ta dini sa na do Jezu Krishti sot, atëherë shikon Tabernakullin e tij në kisha tona.” (Nëna Tereze) 

Njohja  e Jezusit, pa jetë dhe dëshmi, do të ishte gati e kotë, pa dobi, sepse, Ai kështu për ne do të ishte një ide – ideal, jo jeta jonë në plotësi. (krhs. Gjn 1, 1-5) 

Ta admirosh Jezusin, është bukur, por tepër pak, vetëm hapi i parë kah Ai për ta pranuar, dashur, jetësuar dhe dëshmuar në jetën tonë të përditshme. 

Ne, nuk duhet të frikësohemi ta shpallim dashurinë e Krishtit dhe të duam siç na do ai ne. Në punë që duhet bërë, s’ka rëndësi sa e vogël dhe  e thjeshtë, ta vejmë dashurinë e Krishtit… Njerëzit nuk e admirojnë punën tonë, as profesionalizmin tonë, por fenë tonë, dashurinë tonë për Jezusin dhe për të varfër, për çdo njeri… T’i ndihmojmë njerëzit që ta zbulojnë, njohin dhe duan Krishtin në ata që vuajnë” (Nëna Tereze) 

Edhe sot në botë, ka shumë simpatizues të Jezu Krishtit. Të krishterët, duke pasur karizma të ndryshme, duhet të bashkëpunojnë në çështjen e Ungjillit, secili sipas mundësive, mjeteve, karizmës dhe mbarështimit të vet.” (AG 28) 

Çdo i krishterë është i ftuar dhe i dërguar jo vetëm për të admiruar Krishtin, por, për të shkuar pas Tij, për ta jetuar dhe dëshmuar Atë gjithnjë. 

Prishtinë, 23 nëntor 2022       Radio Maria – Kosovë            Don Lush GJERGJI 

Lajmet Përshpirtëria e Nënës Tereze (25 – vjetori i vdekjes)  >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Emanuel Demaj

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!